Muzika: Gjuha Universale e shpirtit njerëzor.
Nëse ju kujtohet, në artikullin tim “Muzika Brënda Nesh” Link: https://www.facebook.com/groups/explainedmusic/permalink/1322695791870325/?mibextid=Nif5oz – shpjegohet se si Muzika është një gjuhë e artikoluar tingujsh dhe se tipari i saj unik është të kenunit “Gjuhë Universale”. Në fakt, Muzika nuk është si gjuhët e folura, ajo është ndryshe jo vetëm për shkak të natyrës së saj “asemantike” (në lidhje me grup-shkronjat që tregojnë falë), por edhe për shkak të fiziologjisë së saj, bie fjala: “tjetër qëllim ka gjuha e folur; tjetër qëllim ka idioma muzikore”. Vëreni mirë se si gjuha e folur dhe e shkruar ka të bëjë me kuptimin e fjalëve (semantika leksikore) dhe me kuptimin e fjalive (semantika e fjalisë), ndërkohë që Muzika është një reduktim në lidhje me gjuhën konkrete dhe konceptuale të fjalëve, dhe pikërisht ky reduktim krijon atë hapjen e nevojshme në lidhje me emocionet. Kjo gjë nuk është e lehtë për t’u spjeguar me fjalë të thjeshta! Prandaj duhet të zgjatem pak sa … Muzika ka një “leksik” të sajë, i cili përbëhet prej Intervalesh; Akordesh; Shkallësh e Modesh; Strukturash ritmike; Lëvizjesh mes zërave; Formash melodike etj. Konkretisht, muzika përbëhet nga një seri rregullash dhe konvencionesh të paracaktuara të cilat përmblidhen së bashku duke krijuar “Gramatikën e Muzikës”. Kjo (bashkë me shkrimin muzikor: “Notizimin”) është pikërisht ajo që studjohet në Shkollat muzikore dhe në Konservatore.
Muzika është gjithashtu më shumë se sa fjala e prononcuar, (siç thotë një shprehje e vjetër e kompozitorit L.W.Beethoven: “aty ku mbarojnë fjalët, aty flet Muzika”), pasi përmes saj arrihen të shprehen aspekte interiore të cilat gjuha e folur as që mund t’i afrohet. Në gjirin e saj, Muzika përfshin një kompleks të gjerë principesh dhe rregullash të cilat thellë – thellë janë një shprehje matematikore e natyrës. Në një këndvështrim më universal, “materia tingullore” (prej së cilës përbëhet muzika), është e pranishme brënda Arkitekturës të kozmosit.
Për Pitagorën dhe Pitagorikët e shkollës së tij në Crotone të Italis, Muzika është forma më e përkryer e Artit. Ata teorizuan idenë e një Universi të drejtuar nga proporcionet numerieke të harmonizuara mes tyre. Kjo është: “MUZIKA E SFERAVE” dhe SOT, kjo ka të bëjë me matematiken e LIGJEVE të ASTRO-FIZIKËS / FIZIKËS BËRTHAMORE / FIZIKËS KUANTIKE.
Rreth Pitagorës Aristoteli shprehet se: Pitagorikët mbasi vëzhguan se si shumë nga vetitë e numrave i përkasin shumicës së gjërave, vendosën që “Njerëzit janë numra”, nuk janë numra të ndarë, por nga një e tërë e përbërësve numerikë (ato nga të cilët përbëhen). Dhe përseja e kësaj? Sepse vetitë që i përkasin numrave, fshihen tek HARMONIA, si në qiell gjithashtu në shumë gjëra tjera.
Ndërsa në mesjetë, kur studjohej lidhja mes muzikës dhe Teologjisë, Shën Agostini shprehet: “Kush këndon, lutet dy herë”
Në epokën moderne, Laibnitz shprehet se:
“Muzika është një praktikë okulte e aritmetikës, ku shpirti nuk e di se është duke bërë llogaritje matematike”
Në fund … , do të duhet të presim mendimin e Schopenhauer-it për të gjetur trajtimin dallimisht metafizik, i cili së fundit vjen dhe i shtohet si të themi “aspektit teorik / teknicist” të fenomenit muzikor. Pas Pitagorës, Schopenhauer është filozofi që i ka dhënë rëndësi më të madhe muzikës, në mënyrë aq të veçantë sa të trajtohet jo si një art i privilegjuar dhe superior, por si një manifestim i dallueshëm në lidhje me format e tjera estetike: “Arti që dominon hierarkinë”. Schopenhauer do ta përkufizojë muzikën si një “metafizikë në tinguj” e vërtetë, e aftë të na bëjë të arrijmë thelbin më të thellë të gjërave, “përtej kufijve të arsyes”. Për te, Muzika është një gjuhë universale, e cila mund të ekzistojë edhe nëse vetë bota do të zhdukej. .. Pikërisht kjo ide e tij na rikthen tek Pitagora dhe ndarja në treshë e muzikës:
MUSICA MUNDANA (harmonia e sferave qiellore dhe makro-kozmosi)
MUSICA HUMANA (harmonia interiore, muzika e shpirtit, mikro-kozmosi)
MUSICA INSTRUMENTALIS (muzika instrumentale, ajo që sot luhet, këndohet, vallëzohet)
– – – – –
Sot, Teoria e fijeve (stringave) e konsideron “gjendjen dridhëse” të një fragmenti suuuuupër të vogël hapsinor: idealisht [një kordë e hapur skajesh, ose e mbledhur në vetvete = (e mbyllur)] si përcaktim i Materies dhe vetive e saj. Sipas kësaj teorie është vetë dridhja që përbën kordën që në fund të fundit është një dridhje puro. Korda ka mënyra të ndryshme dridhjesh: (pra ajo dridhet me frecuenta të ndryshme), dhe çdo stad dridhës është në gjendje të krijojë të gjitha grimcat e njohura bosonike dhe fermionike. Këto “dridhje/korda” janë përbërësit përfundimtarë të materies dhe simbas fizikantëve, kanë dimensione një milion herë më të vogla se kuarkët: dimensioni i një stringe (thuhet në fizikën e kuanteve) se është infinit i vogël, miliarda miliarda herë më i vogël se një bërthamë atomike … kjo gjë përjashton çdo mundësi aktuale për t’i vëzhguar ato. Por gjëja e çuditëshme është në lidhje me numrat (ata të Pitagorës), që gjënden tek pjesëzat e thërmijave elementare të quajtur: Quark (kuark).
Kuarkët kanë veti të ndryshme të brendshme, duke përfshirë masën, ngarkesën elektrike, të ashtuquajturën (ngarkesë e ngjyrës) dhe rrotullimin (Spin). Ato janë të vetmet grimca elementare të Modelit Standard që marrin pjesë në të katër ndërveprimet themelore (elektromagnetike, gravitacionale, të forta dhe të dobëta). Në lidhje me të ashtuquajturën (ngarkesa e ngjyrës), Kuarket janë të vetmet grimca, ngarkesa elektrike e të cilave nuk është shumëfish i plotë i ngarkesës elementare; në fakt, kuarkët kanë ngarkesë elektrike +2⁄3 ose −1⁄3. Pra:
– thermia elementare me ngarkesë 1
– kuarkët, të cilëve u atribuohen pjesët 1/3 dhe 2/3 e ngarkesës 1 të thermisë elementare.
Ky është një sistem unik i përbërë nga pjesë të lidhura të një polarizimi rrethor. P.sh: Po t’i referohemi elektronit i cili rrotullohet (dridhet) brënda një hapsire suuuuuper të vogël, një spirale e brendshme “prodhon” ngarkesën elektrike, ku një rrotullim i plotë (kombinim e tre kuarkeve), i barabartë me 360 gradë, krijon një ngarkesë të barabartë me 1. Më tej mund të konsiderojmë gjithashtu si pjesëza të kësaj “harmonie”, raportin 1 me 2, mes dy thyesave 1/3 = 0,33… me 2/3 = 0,66… si dhe vetë numrin ( 1 ), që është p.sh ngarkesa e Elektronit, si një (dridhje e përbërë).
(Biologjia e grimcave: nga Giuliano Bettini).
Tani, unë nuk kam familiaritet me hesapet e vështira të matematikës … por Këto numra, janë të njohur: Janë numrat e Pitagorës! Konkretisht janë Kuinta dhe Oktava e saj! Sa fantastike do të ishte sikur shkencëtarët të arrinin të masin dridhjet e stringave … por sikur ato të fsheheshin në dimensione të imëta në rangun e gjatësisë së Planck-ut (hapsira më e imët e teorizuar matematikisht si shkalla më e vogël në natyrë përtej së cilës materia nuk mund të shkojë), atëherë do kemi probleme për t’i vëzhguar këto dridhje … Gjithsesi Teoria e stringave është gjëja më artistike që shkenca ka nxjerrë ndonjëherë.
Tani, imagjinoni një “instrument kozmik” (një Harpë Universale) ku në vënd të telave tradicionalë të montuar në telajo dhe që dridhen kur i prek, të kemi “kordat/dridhje”, pra STRINGAT! … dhe llojin e muzikës që krijohet prej tyre?
Markelian Kapidani
në fotot poshtë:
– Harmonia e sferave simbas Pitagorës;
– Harmonia e Planeteve siç janë realisht;
– Stringat, Kuarket raportet matematike …